Dhjata e Re

Luka 9:13-25 Së Bashku (ALNT)

13. Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!».Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?».

14. Aty ishin rreth pesë mijë burra.Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!».

15. Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë.

16. Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët dhe ua dha dishepujve t’ia shtronin turmës.

17. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.

18. Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?».

19. Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër».

20. Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?».Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».

21. Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë

22. dhe u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.

23. Atëherë u tha të gjithëve:«Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë.

24. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë.

25. Ç’dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte dhe të rrënonte veten?

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9