Dhjata e Re

Luka 9:10-21 Së Bashku (ALNT)

10. Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka që kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë.

11. Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.

12. Dita po mbaronte e të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën që të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, sepse ky vend është i shkretë».

13. Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!».Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?».

14. Aty ishin rreth pesë mijë burra.Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!».

15. Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë.

16. Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët dhe ua dha dishepujve t’ia shtronin turmës.

17. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.

18. Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?».

19. Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër».

20. Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?».Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».

21. Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9