Dhjata e Re

Luka 9:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Jezui i thirri të dymbëdhjetët dhe u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë si edhe për të shëruar sëmundjet.

2. Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët.

3. Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika.

4. Në atë shtëpi që të hyni, rrini aty derisa të niseni.

5. Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre».

6. Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.

7. Herod tetrarku dëgjoi për gjithçka që kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve,

8. disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër.

9. Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.

10. Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka që kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë.

11. Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.

12. Dita po mbaronte e të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën që të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, sepse ky vend është i shkretë».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9