Dhjata e Re

Luka 6:32-44 Së Bashku (ALNT)

32. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan.

33. Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu.

34. Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t’jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë.

35. Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre dhe jepni hua pa pritur që t’ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh dhe do të jeni bij të më të lartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë.

36. Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj.»

37. «Mos gjykoni dhe Perëndia nuk do t’ju gjykojë. Mos dënoni dhe Perëndia nuk do t’ju dënojë. Falni dhe Perëndia do t’ju falë.

38. Jepni dhe Perëndia do t’ju japë. Ai do të vendosë në prehrin tuaj një dhuratë të mirë, të begatë, të përsosur e të pamasë, sepse me masën që do të matni të tjerët, do të mateni edhe ju nga Perëndia».

39. Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra:«A mund t’i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë?

40. Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.

41. Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon traun që është në syrin tënd?

42. Si mund t’i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk sheh traun që është në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd.»

43. «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija dhe as pemë të kalbur që jep fryte të mira.

44. Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat dhe as rrush nga shkurret.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 6