Dhjata e Re

Luka 6:10-22 Së Bashku (ALNT)

10. Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht.

11. Por ata u tërbuan dhe filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t’i bënin Jezuit.

12. Gjatë këtyre ditëve Jezui shkoi në mal për t’u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë.

13. Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj.

14. Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi dhe Gjoni, Filipi dhe Bartolomeu,

15. Mateu dhe Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar,

16. Juda i Jakobit dhe Judë Iskarioti, që u bë tradhtar.

17. Jezui zbriti së bashku me ta dhe u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi dhe bregu i Tirit e i Sidonit.

18. Kishin ardhur për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin

19. dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.

20. Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:«Lum ju që jeni të varfër,se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!

21. Lum ju që tani keni uri,se do të ngopeni!Lum ju që tani qani,se do të qeshni!

22. Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë, kur t’ju përjashtojnë, kur t’ju shajnë dhe të shpifin për ju, për shkak se keni besuar në Birin e njeriut.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 6