Dhjata e Re

Luka 5:27-36 Së Bashku (ALNT)

27. Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave dhe i tha: «Më ndiq!».

28. Ai la gjithçka, u ngrit dhe i shkoi pas.

29. Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish dhe njerëzish të tjerë.

30. Atëherë farisenjtë dhe skribët e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?».

31. Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.

32. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».

33. Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pijnë».

34. Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta?

35. Por do të vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».

36. Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë:«Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset dhe nuk do t’i përshtatet së vjetrës.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 5