Dhjata e Re

Luka 5:2-17 Së Bashku (ALNT)

2. Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat.

3. Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul dhe mësonte turmën nga varka.

4. Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko drejt thellësisë e hidhi rrjetat për peshkim».

5. Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, po për hir të fjalës sate do t’i hedh rrjetat».

6. Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat.

7. Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër që të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin.

8. Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit dhe tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar».

9. Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë.

10. Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, që ishin të afërm të Simonit.Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë, që tani do të bëhesh peshkatar njerëzish».

11. Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka dhe shkuan pas Jezuit.

12. Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys dhe iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh».

13. Jezui shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë.

14. Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt dhe i tha: «Shko e paraqitu te prifti dhe kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t’u shërbejë si dëshmi».

15. Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre.

16. Por ai u tërhoq në vende të shkreta dhe lutej.

17. Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj dhe mësues të ligjit të Moisiut, që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi.Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 5