Dhjata e Re

Luka 5:18-26 Së Bashku (ALNT)

18. Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui dhe ta vinin para tij,

19. por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit.

20. Kur e pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet».

21. Skribët dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t’i falë mëkatet?».

22. Jezui i kuptoi mendimet e tyre dhe u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja?

23. Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet”, apo të thuash “ngrihu dhe ec”?

24. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë» – i tha të paralizuarit – «po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi».

25. Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë.

26. Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë dhe plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 5