26. Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tronditen.
27. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe.
28. Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni dhe ngrijeni kokën, sepse shpengimi juaj është afër».
29. Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë:«Shikojeni fikun dhe të gjitha pemët.
30. Sapo të shihni se kanë nxjerrë sythe, ju e dini se po afrohet vera.
31. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
32. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra.
33. Qielli e toka do të shkojnë, por fjalët e mia jo.»
34. «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë
35. si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut.
36. Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës dhe lutuni që të mund t’u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».
37. Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej Mali i Ullinjve.
38. Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.