Dhjata e Re

Luka 21:10-26 Së Bashku (ALNT)

10. Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi tjetër dhe një mbretëri kundër një mbretërie tjetër.

11. Do të bien tërmete të mëdha dhe në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli,

12. por para se të ndodhin të gjitha këto, do t’ju kapin e do t’ju përndjekin. Do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t’ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim.

13. Kështu do të mund të dëshmoni.

14. Jini të vendosur dhe mos u shqetësoni për vetëmbrojtjen tuaj,

15. sepse unë do t’ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t’i bëjë ballë dhe nuk do ta kundërshtojë dot.

16. Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t’ju tradhtojnë dhe do të vrasin disa prej jush.

17. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim,

18. por asnjë fije floku nuk do t’ju bjerë nga koka.

19. Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.»

20. «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër.

21. Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem,

22. sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar.

23. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, sepse do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli!

24. Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë popujt paganë dhe Jerusalemi do të shkelet nga paganët, derisa t’u mbarojë koha paganëve.»

25. «Do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje. Në tokë popujt paganë do t’i zërë tmerri dhe ankthi nga buçima e detit dhe e valëve.

26. Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tronditen.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 21