Dhjata e Re

Luka 19:9-25 Së Bashku (ALNT)

9. Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.

10. Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».

11. Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast.

12. Ai u tha:«Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej.

13. Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”

14. Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t’i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.”

15. Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët që u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur.

16. Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera.”

17. Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete.”

18. Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera.”

19. Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”

20. Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë,

21. se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë.”

22. Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë dhe korrkam çfarë nuk kam mbjellë?

23. Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”

24. Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”

25. Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha.”

Lexoni kapitullin e plotë Luka 19