Dhjata e Re

Luka 18:16-34 Së Bashku (ALNT)

16. Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata.

17. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».

18. Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç’duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?».

19. Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.

20. Ti i njeh urdhërimet: Mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero babanë e nënën!».

21. Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».

22. Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

23. Po kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.

24. Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

26. Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

27. Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».

28. Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje».

29. Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë,

30. nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».

31. Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha:«Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet.

32. Ai do t’u dorëzohet paganëve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë

33. dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet».

34. Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 18