Dhjata e Re

Luka 15:20-32 Së Bashku (ALNT)

20. Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi.

21. Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt.”

22. Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë.

23. Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë,

24. se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.

25. Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle.

26. Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte.

27. Ai iu përgjigj: “Vëllai yt ka ardhur dhe yt atë ka therur viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë.”

28. Atëherë ai u zemërua dhe nuk pranoi të hynte brenda.I ati doli përjashta për t’iu lutur që të hynte,

29. por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi.

30. Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë.”

31. Pastaj i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja.

32. Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 15