Dhjata e Re

Luka 15:2-17 Së Bashku (ALNT)

2. Farisenjtë dhe skribët murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta».

3. Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4. «Cili nga ju nëse ka njëqind dele dhe njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë?

5. Dhe kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar.

6. Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur.”

7. Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen.»

8. «Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë?

9. E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur.”

10. Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet».

11. Pastaj Jezui tha:«Një njeri kishte dy djem.

12. Më i vogli i tha të atit: “Baba, ma jep pjesën e pasurisë që më takon.” Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve.

13. Pak ditë më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje ai e çoi dëm pasurinë duke jetuar në shthurje.

14. Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë.

15. Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat.

16. Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17. Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim ati kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 15