Dhjata e Re

Luka 14:7-21 Së Bashku (ALNT)

7. Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë:

8. «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti

9. dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “lërja këtë vend këtij.” Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit.

10. Po kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty.

11. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet».

12. Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha:«Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh.

13. Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër.

14. Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve.»

15. Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!».

16. Por Jezui i tha:«Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta.

17. Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet që t’u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati.”

18. Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”

19. Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t’i provoj. Të lutem më ndje!”

20. Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij.”

21. E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua dhe i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbërit e të çalët.”

Lexoni kapitullin e plotë Luka 14