Dhjata e Re

Luka 14:1-16 Së Bashku (ALNT)

1. Një të shtunë Jezui shkoi për të ngrënë në shtëpinë e njërit prej kryetarëve të farisenjve dhe ata po e vëzhgonin me kujdes.

2. Përballë Jezuit gjendej një njeri që vuante nga hidropizia.

3. Jezui i pyeti mësuesit e ligjit të Moisiut dhe farisenjtë: «E lejon ligji i Moisiut që të shërosh ditën e shtunë apo jo?».

4. Por ata heshtën.Atëherë Jezui e preku të sëmurin, e shëroi dhe e lejoi të shkonte.

5. Pastaj u tha atyre: «Kush është ai që, po t’i binte fëmija apo kau në pus ditën e shtunë, nuk do ta nxirrte menjëherë?».

6. Ata nuk mundën t’i përgjigjeshin.

7. Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë:

8. «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti

9. dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “lërja këtë vend këtij.” Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit.

10. Po kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty.

11. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet».

12. Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha:«Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh.

13. Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër.

14. Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve.»

15. Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!».

16. Por Jezui i tha:«Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 14