Dhjata e Re

Luka 12:33-51 Së Bashku (ALNT)

33. Shitini pasuritë tuaja dhe jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen dhe mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë.

34. Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.»

35. «Ngjeshini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur.

36. Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t’i hapur derën sapo të trokasë.

37. Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët dhe do t’u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë dhe do t’u shërbejë.

38. Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata!

39. Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia.

40. Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».

41. Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?».

42. Atëherë Zoti i tha:«Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur?

43. Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu.

44. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t’ia besojë të gjitha pasuritë e veta.

45. Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë dhe të dehet,

46. atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër dhe do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë.

47. Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti i tij, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura.

48. Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak. Kujt i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t’i kërkohet edhe më shumë.»

49. «Unë erdha që të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet!

50. Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet.

51. Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12