Dhjata e Re

Luka 12:29-46 Së Bashku (ALNT)

29. Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini dhe mos u brengosni.

30. Janë paganët e kësaj bote që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto.

31. Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t’jua japë edhe ato.

32. Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t’jua japë mbretërinë.

33. Shitini pasuritë tuaja dhe jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen dhe mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë.

34. Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.»

35. «Ngjeshini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur.

36. Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t’i hapur derën sapo të trokasë.

37. Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët dhe do t’u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë dhe do t’u shërbejë.

38. Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata!

39. Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia.

40. Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».

41. Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?».

42. Atëherë Zoti i tha:«Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur?

43. Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu.

44. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t’ia besojë të gjitha pasuritë e veta.

45. Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë dhe të dehet,

46. atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër dhe do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12