Dhjata e Re

Luka 12:2-11 Së Bashku (ALNT)

2. Nuk ka asgjë të mbuluar që s’do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s’do të merret vesh.

3. Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë.»

4. «Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër.

5. Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t’ju hedhë në ferr. Po, po ju them, nga ky të keni frikë.

6. A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre.

7. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela.»

8. «Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë.

9. Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë.

10. Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e Shenjtë, nuk do të falet.

11. Kur t’ju dërgojnë para sinagogave, krerëve dhe autoriteteve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12