Dhjata e Re

Luka 12:17-28 Së Bashku (ALNT)

17. Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”

18. Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia.

19. E do t’i them shpirtit tim: Shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”

20. Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t’i mbeten?”

21. Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete dhe nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».

22. Jezui u tha dishepujve të vet:«Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni.

23. Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.

24. Shikoni korbat! Ata as mbjellin, as korrin, as nuk kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët.

25. Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet?

26. Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsirë si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat?

27. Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre.

28. Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë?

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12