Dhjata e Re

Juda 1:4-13 Së Bashku (ALNT)

4. Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar që moti për këtë dënim. Ata janë të pafe, që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues dhe Zot tonin.

5. Ndonëse i dini të gjitha, dua t’ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij njëherë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin.

6. Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe.

7. Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.

8. Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore.

9. Kur debatonte me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».

10. Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre.

11. Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan sepse ngritën krye si Koreu!

12. Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore, që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara dhe të shkulura nga rrënjët,

13. si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.

Lexoni kapitullin e plotë Juda 1