Dhjata e Re

Juda 1:1-14 Së Bashku (ALNT)

1. Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashur nga Perëndia Atë dhe të mbrojtur nga Jezu Krishti:

2. Mëshira, paqja dhe dashuria u shtoftë ndër ju!

3. Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t’ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t’ju shkruaj e t’ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha besimtarëve të krishterë njëherë e përgjithmonë.

4. Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar që moti për këtë dënim. Ata janë të pafe, që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues dhe Zot tonin.

5. Ndonëse i dini të gjitha, dua t’ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij njëherë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin.

6. Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe.

7. Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.

8. Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore.

9. Kur debatonte me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».

10. Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre.

11. Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan sepse ngritën krye si Koreu!

12. Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore, që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara dhe të shkulura nga rrënjët,

13. si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.

14. Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë:«Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj,

Lexoni kapitullin e plotë Juda 1