Dhjata e Re

Jakobi 5:1-17 Së Bashku (ALNT)

1. Dhe tani, ju o të pasur! Qani e vajtoni për mundimet që ju presin.

2. Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

3. Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën. Ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush dhe do të përpijë trupat tuaj si zjarri. Ju u pasuruat në ditët e fundit.

4. Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që korrën arat tuaja po këlthet dhe klithmat e korrësve arritën në vesh të Zotit të ushtrive qiellore.

5. Këtu në tokë jetuat në qejfe dhe bëtë shpenzime të kota. U majmët si kafshët për therje,

6. dënuat e vratë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshtoi.

7. Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës dhe të pranverës.

8. Kini edhe ju durim dhe forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër.

9. Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera!

10. Shembull të vuajtjes dhe të durimit kini profetët, që folën në emër të Zotit.

11. Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë dhe i dhembshur.

12. Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën dhe as ndonjë betim tjetër. Le të jetë po-ja juaj po dhe jo-ja juaj jo, që të mos gjykoheni nga Perëndia.

13. A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme!

14. A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të dhe ta lyejnë me vaj në emër të Zotit.

15. Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.

16. Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe!

17. Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj.

Lexoni kapitullin e plotë Jakobi 5