Dhjata e Re

Jakobi 4:3-17 Së Bashku (ALNT)

3. Kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni me qëllim të keq, që t’i përdorni për epshet tuaja.

4. O njerëz të pafe! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai që dëshiron të jetë mik me botën, bëhet armik me Perëndinë.

5. Mos vallë pandehni se Shkrimi i shenjtë thotë më kot se shpirti i vendosur nga Perëndia brenda nesh, priret drejt smirës?

6. Por, Perëndia na jep edhe më shumë hir, prandaj thuhet: Perëndia u kundërvihet krenarëve, ndërsa të përulurve u jep hir.

7. Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju.

8. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje!

9. Pikëllohuni, vajtoni dhe qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në trishtim.

10. Përuluni para Zotit dhe ai do t’ju lartësojë.

11. Mos flisni keq për njëri-tjetrin, o vëllezër! Ai që flet keq për vëllain apo e gjykon atë, flet keq për ligjin e Mosiut dhe e gjykon atë ligj. Nëse gjykon ligjin e Mosiut, nuk je zbatues i këtij ligji, por gjykues i tij.

12. Vetëm njëri është ligjvënësi dhe gjykuesi, ai që mund të shpëtojë apo të çojë në humbje. Po ti, kush je që gjykon tjetrin?

13. Dhe tani më dëgjoni ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, do të rrimë atje një vit, do të bëjmë tregti dhe do të fitojmë».

14. Ju nuk e dini si do të jetë e nesërmja dhe se çfarë është jeta juaj. Ajo është si avulli që duket për pak kohë dhe pastaj zhduket.

15. Në vend që të thoni: «Në dashtë Zoti dhe në qofshim gjallë, do të bëjmë këtë apo atë gjë»,

16. ju mburreni me krenari. Çdo mburrje e tillë është e ligë.

17. Ai që di të bëjë të mirën dhe nuk e bën, bën mëkat.

Lexoni kapitullin e plotë Jakobi 4