Dhjata e Re

Jakobi 1:5-25 Së Bashku (ALNT)

5. Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t’i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim,

6. por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas.

7. Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti,

8. sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën.

9. Vëllai i varfër le të krenohet, se do ta lartësojë Perëndia,

10. ndërsa vëllai i pasur se do ta përulë. I pasuri do të shkojë si lulja e barit.

11. Dielli lind dhe nxehtësia e tij e than barin. Lulja e barit vyshket dhe bukuria i zhduket. Kështu do të vyshket edhe i pasuri në gjërat që bën.

12. Lum ai njeri që duron tundimet, sepse, pasi të ketë kaluar sprovën, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Perëndia ua premtoi atyre që e duan.

13. Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd.

14. Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron.

15. Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen.

16. Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni!

17. Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lëshon hije.

18. Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij.

19. Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim.

20. Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.

21. Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi dhe çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t’ju shpëtojë shpirtrat.

22. Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë veten.

23. Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë,

24. por pasi shihet, ikën e menjëherë harron se si ishte.

25. Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën.

Lexoni kapitullin e plotë Jakobi 1