Dhjata e Re

Hebrenjve 9:8-15 Së Bashku (ALNT)

8. Me këtë gjë Shpirti i Shenjtë tregon se udha për te Shenjtërorja e Shenjtëroreve nuk do të zbulohej për sa kohë do të ishte tenda e parë.

9. Tenda e parë është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme dhe tregon se dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bëjnë të përsosur ndërgjegjen e atij që i kushton,

10. pasi ka të bëjë vetëm me ushqime, me pije dhe me larje të ndryshme, me rregulla për trupin, të cilat vlejnë derisa t’u vijë koha për t’u ndrequr.

11. Krishti erdhi si kryeprift i të mirave, që tashmë kanë ardhur. Tenda ku shërben ai është më e madhe dhe më e përsosur. Ajo nuk është bërë nga duar njerëzore, domethënë nuk i përket këtij krijimi.

12. Kur Krishti hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepësh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar.

13. Sepse, nëse gjaku i cjepve dhe i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore,

14. aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të Amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t’i shërbejmë Perëndisë së gjallë.

15. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 9