Dhjata e Re

Hebrenjve 9:14-23 Së Bashku (ALNT)

14. aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të Amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t’i shërbejmë Perëndisë së gjallë.

15. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë.

16. Atje ku ka ndonjë testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin.

17. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë.

18. Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak.

19. Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e Ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepësh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop dhe me to spërkati librin dhe gjithë popullin

20. duke thënë: Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.

21. Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit.

22. Sipas ligjit të Moisiut, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak, nuk ka ndjesë mëkatesh.

23. Ishte e nevojshme që edhe format e gjërave qiellore të pastroheshin në të njëjtën mënyrë. Por ato kanë nevojë për flijime më të mira se këto.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 9