Dhjata e Re

Hebrenjve 9:13-24 Së Bashku (ALNT)

13. Sepse, nëse gjaku i cjepve dhe i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore,

14. aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të Amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t’i shërbejmë Perëndisë së gjallë.

15. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë.

16. Atje ku ka ndonjë testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin.

17. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë.

18. Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak.

19. Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e Ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepësh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop dhe me to spërkati librin dhe gjithë popullin

20. duke thënë: Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.

21. Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit.

22. Sipas ligjit të Moisiut, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak, nuk ka ndjesë mëkatesh.

23. Ishte e nevojshme që edhe format e gjërave qiellore të pastroheshin në të njëjtën mënyrë. Por ato kanë nevojë për flijime më të mira se këto.

24. Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë nga duar njerëzish, që është vetëm shëmbëllesë e shenjtërores së vërtetë, por drejt e në qiell, që të dalë para Perëndisë për ne.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 9