Dhjata e Re

Hebrenjve 9:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Sigurisht që edhe besëlidhja e parë kishte rregulla adhurimi dhe një shenjtërore tokësore.

2. U ndërtua një tendë e parë, në të cilën ndodhej shandani, tryeza dhe bukët që i kushtoheshin Perëndisë. Kjo tendë quhej ‘Shenjtërorja’.

3. Pas velit të dytë ishte tenda që quhej ‘Shenjtërorja e Shenjtëroreve’.

4. Atje ndodhej altari i artë, ku digjej temjani dhe gjendej arka e besëlidhjes, mbuluar nga të gjitha anët me ar. Brenda arkës ndodhej qypi i artë, që mbante manën, shkopi i Aaronit që kishte lulëzuar dhe rrasat e besëlidhjes.

5. Sipër arkës ndodheshin kerubinët e lavdisë, që mbulonin pajtimoren, për të cilët nuk është nevoja të flasim me hollësi tani.

6. Këto ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që në tendën e parë të hynin gjithnjë priftërinjtë për të bërë shërbesat e adhurimit.

7. Ndërsa në tendën e dytë hynte vetëm kryeprifti një herë në vit dhe jo pa gjak kafshësh, të cilin ia kushtonte Perëndisë për mëkatet e veta dhe për mëkatet e popullit, të bëra nga padija.

8. Me këtë gjë Shpirti i Shenjtë tregon se udha për te Shenjtërorja e Shenjtëroreve nuk do të zbulohej për sa kohë do të ishte tenda e parë.

9. Tenda e parë është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme dhe tregon se dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bëjnë të përsosur ndërgjegjen e atij që i kushton,

10. pasi ka të bëjë vetëm me ushqime, me pije dhe me larje të ndryshme, me rregulla për trupin, të cilat vlejnë derisa t’u vijë koha për t’u ndrequr.

11. Krishti erdhi si kryeprift i të mirave, që tashmë kanë ardhur. Tenda ku shërben ai është më e madhe dhe më e përsosur. Ajo nuk është bërë nga duar njerëzore, domethënë nuk i përket këtij krijimi.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 9