Dhjata e Re

Hebrenjve 8:1-8 Së Bashku (ALNT)

1. Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: Kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej.

2. Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.

3. Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar.

4. Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit të Moisiut.

5. Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: Tani, bëj gjithçka sipas modelit që t’u tregua në mal.

6. Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.

7. Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë.

8. Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha: Ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 8