Dhjata e Re

Hebrenjve 6:1-16 Së Bashku (ALNT)

1. Prandaj, duke lënë mënjanë njohuritë fillestare për Krishtin, le të shkojmë drejt përsosjes. Le të mos merremi më me gjërat fillestare: me pendimin për veprat e vdekura, me besimin në Perëndinë,

2. mësimin për pagëzimin, vënien e duarve, ngjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përjetshëm.

3. Edhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

4. Është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që shijuan dhuratën qiellore, që morën Shpirtin e Shenjtë,

5. që shijuan bukurinë e fjalës së Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme

6. dhe që pastaj ranë, të rilindin me anë të pendimit, kur ata vetë e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë botërisht.

7. Kur toka pi shiun që bie shpesh mbi të dhe prodhon bimë të dobishme për ata që e punojnë, ajo merr bekim nga Perëndia.

8. Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr.

9. Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim.

10. Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë dhe vazhdoni t’u bëni besimtarëve të krishterë.

11. Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj.

12. Mos u bëni përtacë, por ndiqni shembullin e atyre që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë.

13. Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t’u betuar, u betua për veten e tij

14. dhe tha: Të premtoj se do të të bekoj dhe do të të jap shumë pasardhës.

15. Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin.

16. Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 6