Dhjata e Re

Hebrenjve 4:7-16 Së Bashku (ALNT)

7. Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur ‘sot’, kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit: Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja.

8. Pra, nëse Jozueu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër.

9. Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë.

10. Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia.

11. Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes.

12. Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës.

13. Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t’i japim llogari.

14. Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiejt, Jezuin, Birin e Perëndisë.

15. Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi.

16. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 4