Dhjata e Re

Hebrenjve 4:5-15 Së Bashku (ALNT)

5. Po për të njëjtën gjë shton: Nuk do të hyjnë kurrë në prehjen time.

6. Ata që e dëgjuan në fillim ungjillin nuk hynë në prehjen e Perëndisë për shkak të mosbindjes. Por, meqenëse mbeten edhe të tjerë për të hyrë në të,

7. Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur ‘sot’, kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit: Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja.

8. Pra, nëse Jozueu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër.

9. Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë.

10. Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia.

11. Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes.

12. Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës.

13. Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t’i japim llogari.

14. Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiejt, Jezuin, Birin e Perëndisë.

15. Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 4