Dhjata e Re

Hebrenjve 12:1-19 Së Bashku (ALNT)

1. Prandaj edhe ne që jemi të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë si dhe mëkatin që na josh lehtësisht dhe le të ecim përpara me durim në betejën që na pret.

2. Le t’i mbajmë sytë te Jezui, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur. Ai, për gëzimin që e priste, duroi kryqin duke përçmuar turpin dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë.

3. Mendoni, pra, atë që duroi një armiqësi të tillë kundër vetes nga ana e mëkatarëve, që të mos ligështoheni dhe t’ju lëshojë zemra.

4. Sepse ju ende nuk keni arritur deri atje sa të derdhni gjakun në luftën kundër mëkatit.

5. Ju keni harruar këshillën që Perëndia jua tha si bijve të vet: Biri im, mos e përçmo qortimin e Zotit dhe mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton,

6. sepse Zoti e qorton atë që e do dhe fshikullon atë që pranon si bir.

7. Durojeni qortimin, sepse Perëndia po sillet me ju si bij. A ka ndonjë bir që nuk qortohet nga i ati?

8. Nëse nuk do të qortoheni siç qortohen gjithë të tjerët, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por jeni fëmijë të paligjshëm.

9. Pastaj, nëse nderojmë etërit tanë tokësorë kur ata na qortojnë, a nuk duhet t’i nënshtrohemi më tepër Atit të shpirtrave dhe të fitojmë jetën?

10. Etërit tokësorë na qortuan për pak kohë, ashtu siç e menduan, ndërsa Perëndia na qorton për të mirën tonë që ne të marrim pjesë në shenjtërinë e tij.

11. Qortimet aty për aty duket se sjellin trishtim dhe jo gëzim, por më vonë, ata që janë ushtruar me qortimin do të shijojnë fryte paqtimi dhe drejtësie.

12. Prandaj forconi duart e lodhura dhe gjunjët e këputur!

13. Rrafshoni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që këmba e çalë të mos ndrydhet, por të shërohet.

14. Kërkoni paqen me të gjithë dhe shenjtërimin, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin.

15. Kujdes se mos mbetet ndonjë pa hirin e Perëndisë, se mos mbin ndonjë rrënjë e hidhur, që turbullon e ndyn shumë njerëz.

16. Të mos bëhet askush kurvar a çnderues gjërash të shenjta si Esau, i cili për një të ngrënë shiti të drejtat që gëzonte si fëmijë i parë.

17. E dini se më pas, kur donte të trashëgonte bekimin, ai nuk u pranua, ndonëse e kërkoi me lot, pasi nuk kishte më vend për pendim.

18. Nuk i jeni afruar Malit të Sinait që mund të preket me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,

19. as tingullit të trumbetës dhe as oshëtimës së fjalëve, të cilën ata që e dëgjuan, u lutën të mos u thuhej më asnjë fjalë tjetër.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 12