Dhjata e Re

Hebrenjve 1:1-14 Së Bashku (ALNT)

1. Në të shkuarën, Perëndia u ka folur etërve tanë shpeshherë dhe në mënyra të ndryshme nëpërmjet profetëve,

2. ndërsa këto kohët e fundit na foli nëpërmjet Birit. Nëpërmjet tij Perëndia ka krijuar gjithësinë dhe atë e ka caktuar trashëgimtar të gjithçkaje.

3. Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, shprehja e plotë e qenies së tij dhe ai që mban gjithçka me fuqinë e fjalës së tij.Pasi na pastroi nga mëkatet, ai u ul në qiell në të djathtë të Perëndisë së madhërishëm.

4. Ai u bë më i madh se engjëjt, aq sa ç’ishte më madhështor emri që trashëgoi nga Perëndia.

5. Dhe vërtet, Perëndia nuk i ka thënë kurrë ndonjë engjëlli: Ti je Biri im, të kam lindur sot.As nuk ka thënë për ndonjërin: Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir.

6. Kur Perëndia do të dërgonte në botë Birin e tij të parëlindur, tha: Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.

7. Ndërsa për engjëjt tha: Perëndia i bën engjëjt e tij si era dhe shërbyesit e tij si flaka e zjarrit.

8. Për Birin ka thënë: Froni yt, o Perëndi, mbetet në shekuj të shekujve dhe skeptri i drejtësisë është skeptri i mbretërisë sate.

9. E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë. Prandaj Perëndia yt, o Perëndi, të vajosi mes shokëve të tu, me anë të vajit të gëzimit.

10. Ka thënë edhe: Ti, o Zot, në fillim e themelove tokën dhe vepër e duarve të tua janë qiejt.

11. Ata do të zhduken, ndërsa ti do të mbetesh. Të gjithë do të vjetërohen si rrobë.

12. Do t’i mbështjellësh si mantel dhe do t’i ndërrosh si rrobë, ndërsa ti do të mbetesh po ai dhe vitet e tua nuk do të perëndojnë.

13. Perëndia nuk i tha kurrë ndonjë engjëlli: Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si shtrojë të këmbëve të tua.

14. A nuk janë, pra, të gjithë engjëjt shpirtra shërbestarë, që Perëndia i ka dërguar për t’u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 1