Dhjata e Re

Gjoni 8:46-59 Së Bashku (ALNT)

46. Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni?

47. Ai që është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, sepse nuk jeni prej Perëndisë».

48. Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan dhe ke djallin?».

49. Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni.

50. Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon dhe se kush gjykon.

51. Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë».

52. Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu dhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”.

53. A mos je ti më i madh se ati ynë Abrahami që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?».

54. Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon.

55. Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.

56. Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua».

57. Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?».

58. Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam».

59. Ata morën gurë për t’i gjuajtur, por Jezui u fsheh dhe doli nga tempulli.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 8