Dhjata e Re

Gjoni 8:30-46 Së Bashku (ALNT)

30. Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu.

31. Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi,

32. do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë».

33. Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?».

34. Jezui u përgjigj:«Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit.

35. Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë.

36. Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.

37. E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju.

38. Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj».

39. Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami».Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij.

40. Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë.

41. Ju bëni veprat e atit tuaj».Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë».

42. Jezui u tha:«Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi.

43. Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.

44. Ati juaj është djalli dhe ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja e tij, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.

45. Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni.

46. Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni?

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 8