Dhjata e Re

Gjoni 8:24-36 Së Bashku (ALNT)

24. Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja».

25. Ata i thanë: «Kush je ti?».Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam.

26. Kam shumë për të thënë dhe për të gjykuar lidhur me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë i them botës ato që dëgjova prej tij».

27. Ata nuk e kuptuan se po u fliste për Atin.

28. Atëherë Jezui u tha: «Kur ta keni lartësuar Birin e njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nuk bëj asgjë nga vetja, por flas si më mësoi Ati.

29. Ai që më dërgoi është me mua dhe nuk më ka lënë vetëm, sepse unë bëj gjithnjë çfarë i pëlqen atij».

30. Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu.

31. Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi,

32. do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë».

33. Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?».

34. Jezui u përgjigj:«Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit.

35. Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë.

36. Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 8