Dhjata e Re

Gjoni 5:37-47 Së Bashku (ALNT)

37. Dhe vetë Ati që më dërgoi ka dëshmuar për mua. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe nuk e keni parë kurrë fytyrën e tij.

38. Fjala e tij nuk qëndron në ju, sepse nuk i besoni atij që ai dërgoi.

39. Ju shqyrtoni Shkrimet e shenjta, sepse mendoni se në to gjeni jetën e amshuar dhe pikërisht ato dëshmojnë për mua,

40. por, megjithatë, nuk doni të vini tek unë që të keni jetë.

41. Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42. Ju njoh dhe e di se nuk keni në ju dashurinë e Perëndisë.

43. Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe nuk më pranoni. Nëse dikush tjetër do të vinte në emër të vetes, atë do ta pranonit.

44. Si mund të besoni ju që i thurni lavdi njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi?

45. Mos mendoni se do t’ju padis unë tek Ati. Moisiu, tek i cili keni varur shpresën, ai do t’ju padisë.

46. Sepse po t’i besonit Moisiut do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.

47. Por nëse nuk u besoni atyre që ai shkroi, si do t’u besoni fjalëve të mia?».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 5