Dhjata e Re

Gjoni 5:33-45 Së Bashku (ALNT)

33. Ju dërguat njerëz te Gjoni dhe ai tha të vërtetën.

34. Unë nuk kam nevojë për dëshminë e ndonjë njeriu, por i përmenda këto që të shpëtoheni.

35. Gjoni ishte pishtari i ndezur që shndrit dhe juve ju pëlqeu të ngazëlleheshit për pak kohë në dritën e tij.

36. Por dëshmia ime është më e madhe se ajo e Gjonit. Veprat që më dha Ati për të bërë, veprat që unë bëj, ato dëshmojnë për mua se më ka dërguar Ati.

37. Dhe vetë Ati që më dërgoi ka dëshmuar për mua. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe nuk e keni parë kurrë fytyrën e tij.

38. Fjala e tij nuk qëndron në ju, sepse nuk i besoni atij që ai dërgoi.

39. Ju shqyrtoni Shkrimet e shenjta, sepse mendoni se në to gjeni jetën e amshuar dhe pikërisht ato dëshmojnë për mua,

40. por, megjithatë, nuk doni të vini tek unë që të keni jetë.

41. Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42. Ju njoh dhe e di se nuk keni në ju dashurinë e Perëndisë.

43. Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe nuk më pranoni. Nëse dikush tjetër do të vinte në emër të vetes, atë do ta pranonit.

44. Si mund të besoni ju që i thurni lavdi njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi?

45. Mos mendoni se do t’ju padis unë tek Ati. Moisiu, tek i cili keni varur shpresën, ai do t’ju padisë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 5