Dhjata e Re

Gjoni 5:22-36 Së Bashku (ALNT)

22. Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit,

23. që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kush nuk nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e ka dërguar.

24. Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar dhe nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë.

25. Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, dhe madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë.

26. Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete

27. dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut.

28. Mos u habisni për këtë, sepse po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij

29. dhe do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t’u gjykuar.

30. Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi».

31. «Nëse unë dëshmoj për veten time, atëherë kjo dëshmi mund të mos ishte e vërtetë.

32. Por dikush tjetër dëshmon për mua dhe unë e di se dëshmia e tij është e vërtetë.

33. Ju dërguat njerëz te Gjoni dhe ai tha të vërtetën.

34. Unë nuk kam nevojë për dëshminë e ndonjë njeriu, por i përmenda këto që të shpëtoheni.

35. Gjoni ishte pishtari i ndezur që shndrit dhe juve ju pëlqeu të ngazëlleheshit për pak kohë në dritën e tij.

36. Por dëshmia ime është më e madhe se ajo e Gjonit. Veprat që më dha Ati për të bërë, veprat që unë bëj, ato dëshmojnë për mua se më ka dërguar Ati.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 5