Dhjata e Re

Gjoni 4:6-25 Së Bashku (ALNT)

6. Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës.

9. Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët.

10. Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij dhe ai do të të jepte ujë të gjallë».

11. Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë dhe pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë?

12. Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë dhe me bagëtitë».

13. Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri,

14. por ai që do të pijë nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t’i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar».

15. Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje dhe të mos vij më këtu për të mbushur ujë».

16. Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd dhe kthehu këtu».

17. Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë».Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë,

18. sepse ke pasur pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën».

19. Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet.

20. Etërit tanë samaritanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju judenjtë thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem».

21. Atëherë Jezui i tha:«Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.

22. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë.

23. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në shpirt dhe në të vërtetë, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.

24. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt dhe në të vërtetë».

25. Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 4