Dhjata e Re

Gjoni 4:45-54 Së Bashku (ALNT)

45. po kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithë sa kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë.

46. Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum,

47. kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi dhe i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum dhe t’i shëronte të birin që ishte duke vdekur.

48. Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni mrekulli dhe shenja».

49. Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija».

50. Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit dhe shkoi.

51. Dhe teksa ishte duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë.

52. Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali dhe ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet».

53. Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë dhe të gjithë ata të shtëpisë së tij.

54. Kjo ishte mrekullia e dytë që bëri Jezui kur u kthye nga Judeja në Galile.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 4