Dhjata e Re

Gjoni 4:12-22 Së Bashku (ALNT)

12. Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë dhe me bagëtitë».

13. Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri,

14. por ai që do të pijë nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t’i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar».

15. Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje dhe të mos vij më këtu për të mbushur ujë».

16. Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd dhe kthehu këtu».

17. Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë».Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë,

18. sepse ke pasur pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën».

19. Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet.

20. Etërit tanë samaritanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju judenjtë thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem».

21. Atëherë Jezui i tha:«Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.

22. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 4