Dhjata e Re

Gjoni 20:4-15 Së Bashku (ALNT)

4. Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri.

5. U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda.

6. Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat

7. si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër.

8. Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi.

9. Ata nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin e shenjtë që thoshte se Jezui duhej të ngjallej prej të vdekurve.

10. Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.

11. Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit

12. dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka dhe tjetri te këmbët.

13. Ata i thanë: «Grua, përse po qan?».Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë».

14. Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte në këmbë, por nuk e dinte se ishte ai.

15. Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?».Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 20