Dhjata e Re

Gjoni 2:6-16 Së Bashku (ALNT)

6. Atje ndodheshin gjashtë qypa prej guri, që përdoreshin për ritin e pastrimit të judenjve. Secili prej tyre mbante tetëdhjetë deri në njëqind e njëzet litra.

7. Atëherë, Jezui u tha shërbëtorëve: «Mbushini qypat me ujë!». Ata i mbushën deri në grykë.

8. Pastaj u tha: «Tani, mbushni nga qypat dhe çojani të parit të dasmës!».Dhe ata ia çuan.

9. I pari i dasmës nuk e dinte nga vinte vera, por shërbëtorët që e kishin nxjerrë nga qypat e dinin. Ai, pasi e provoi ujin e bërë verë, thirri dhëndrin

10. dhe i tha: «Të gjithë nxjerrin për të pirë në fillim verën më të mirë dhe, pasi të jenë dehur dasmorët, sjellin të keqen, ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani!».

11. Kjo qe mrekullia e parë që bëri Jezui në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi kështu lavdinë e tij dhe dishepujt besuan tek ai.

12. Pastaj ai shkoi në Kafarnaum bashkë me të ëmën, vëllezërit dhe dishepujt e tij dhe qëndruan atje për pak ditë.

13. Meqenëse po afrohej Pashka e judenjve, Jezui shkoi në Jerusalem.

14. Në tempull ai gjeti tregtarët e qeve, të deleve dhe pëllumbave, si dhe këmbyesit e parave që rrinin ulur.

15. Pasi bëri një fshikull me litarë, i dëboi të gjithë prej tempullit bashkë me delet dhe qetë, derdhi të hollat e këmbyesve të parave dhe pastaj përmbysi tryezat e tyre.

16. Ndërsa tregtarëve të pëllumbave u tha: «Hiqini këto gjëra që këtej dhe mos e bëni vend tregtie shtëpinë e Atit tim!».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 2