Dhjata e Re

Gjoni 19:31-39 Së Bashku (ALNT)

31. Ishte e premte dhe e shtuna e nesërme ishte ditë e veçantë. Judenjtë i kërkuan Pilatit t’u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve dhe t’i zbrisnin nga kryqi, që trupat të mos mbeteshin mbi kryq atë të shtunë.

32. Atëherë erdhën ushtarët dhe i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin.

33. Kur erdhën te Jezui dhe panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

34. por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak dhe ujë.

35. Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni.

36. Këto gjëra ndodhën që të përmbushet ajo pjesë e Shkrimit të shenjtë që thotë: Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër

37. si dhe pjesa tjetër që thotë: Do të shikojnë atë që shpuan me heshtë.

38. Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin.

39. Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 19