Dhjata e Re

Gjoni 19:19-32 Së Bashku (ALNT)

19. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve».

20. Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, sepse vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht dhe greqisht.

21. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj “Mbreti i judenjve”, por shkruaj “Ky ka thënë: Jam mbreti i judenjve”».

22. Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova».

23. Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte i paqepur, një copë e gjitha e endur nga lart deri poshtë.

24. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t’i takojë». Kjo, që të përmbushej pjesa e Shkrimit të shenjtë që thotë: I ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për mantelin tim.Dhe ushtarët kështu bënë.

25. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena.

26. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!».

27. Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij.

28. Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi i shenjtë, tha: «Kam etje!».

29. Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja.

30. Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt.

31. Ishte e premte dhe e shtuna e nesërme ishte ditë e veçantë. Judenjtë i kërkuan Pilatit t’u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve dhe t’i zbrisnin nga kryqi, që trupat të mos mbeteshin mbi kryq atë të shtunë.

32. Atëherë erdhën ushtarët dhe i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 19