Dhjata e Re

Gjoni 18:29-40 Së Bashku (ALNT)

29. Atëherë Pilati doli përjashta dhe u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?».

30. Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty».

31. Pilati u tha: «Atëherë merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj».Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri».

32. Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç’vdekje do të vdiste.

33. Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin dhe i tha: «A je ti mbreti i judenjve?».

34. Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?».

35. Pilati i tha: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?».

36. Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos bija në dorë të judenjve. Por mbretëria ime nuk është prej këtej».

37. Atëherë Pilati i tha: «Pra, ti qenke mbret?».Jezui u përgjigj: «Ti vetë po e thua se unë jam mbret. Unë prandaj kam lindur dhe kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës e dëgjon zërin tim».

38. Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?».Pasi tha këto fjalë, Pilati doli përsëri dhe u tha judenjve: «Unë nuk gjej asnjë shkak për ta dënuar.

39. Ju keni zakonin t’ju liroj për Pashkë një të dënuar. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?».

40. Ata thirrën përsëri: «Jo këtë, por Barabën». Baraba ishte kusar.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 18