Dhjata e Re

Gjoni 18:15-30 Së Bashku (ALNT)

15. Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit.

16. Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t’i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda.

17. Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je dhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?».Ai tha: «Nuk jam».

18. Shërbëtorët dhe rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej.

19. Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij.

20. Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga dhe në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë dhe nuk kam folur kurrë fshehtas.

21. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë».

22. Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë dhe i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?».

23. Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja; por nëse fola mirë, përse më godet?».

24. Atëherë Hanai e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.

25. Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?».Ai e mohoi dhe tha: «Nuk jam».

26. Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?».

27. Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli.

28. Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën.

29. Atëherë Pilati doli përjashta dhe u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?».

30. Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 18